ANKESË E PRINDIT NDAJ PËRDORIMIT DHE PUBLIKIMIT E TË DHËNAVE PERSONALE TË FËMIJËVE NË PROJEKTIN “ZDRAVITAS”
Ministria e Arsimit e Serbisë, përmes platformës "Zdravitas", ka nisur një projekt që përfshin grumbullimin e të dhënave fizike dhe shëndetësore të fëmijëve nëpër shkolla, me synimin që këto të dhëna, përfshirë ato "të ndjeshme" personale të fëmijëve dhe prindërve, të publikohen në një portal online. Si prind i shqetësuar për sigurinë dhe privatësinë e fëmijëve të mi, kam reaguar publikisht me ankesë për të ndaluar publikimin e këtyre të dhënave.
Ankesa ime e plotë është publikuar në web-faqen "ShokuSpiro" për shkak të gjatësisë së saj, të cilën nuk mund ta përshtasja tërësisht si postim në Facebook. Ky reagim është krejtësisht personal dhe nuk përfaqëson ndonjë grup ose organizatë.
Ankesa iu është dërguar drejtorisë së Shkollës Fillore "Profesor Ibrahim Kelmendi" dhe Gjimnazit "Skënderbeu" në Preshevë.
Mbrojtja e privatësisë dhe sigurisë së fëmijëve tanë është detyrimi ynë i parë dhe më i rëndësishëm.
Në vijim publikohet ankesa e plotë.
ANKESË NDAJ PËRDORIMIT DHE PUBLIKIMIT E TË DHËNAVE PERSONALE TË FËMIJËVE NË PROJEKTIN “ZDRAVITAS”
E drejtuar:
Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë, dhe
Drejtorisë së Shkollave Fillore dhe të Mesme në Komunën e Preshevës
I nderuar/a,
Si prind i dy fëmijëve - një në Shkollën fillore "Profesor Ibrahim Kelmendi" dhe tjetri në Gjimnazin "Skënderbeu" në Preshevë - ju drejtohem në lidhje me letrën e Ministrisë së Arsimit në emër të Shkollave fillore dhe të Mesme, nr. 610-00-970/2/2024-07, data: 08.11.2024, drejtuar prindërve dhe përfaqësuesve të tjerë të nxënësve të këtyre shkollave, në lidhje me projektin për realizimin e portalit "Zdravitas" nga Ministria e Arsimit.
Nga letra e juaj, kam kuptuar se qëllimi i projektit "Zdravitas" është "krijimi i një sistemi për ndjekjen e zhvillimit fizik dhe aftësive motorike të nxënësve"; megjithatë, shpreh shqetësim serioz për synimin që të dhënat personale të fëmijëve të mi të përdoren në portalin (sistemin) tuaj pa miratimin prindëror.
Në letrën tuaj, ju pohoni se "një sistem i tillë i mundëson arsimtarëve të edukimit fizik dhe shëndetësor të ndjekin dhe analizojnë progresin e nxënësve të tyre në mënyrë më të thjeshtë dhe efikase," dhe se "kjo e lehtëson komunikimin ndërmjet arsimtarëve, nxënësve dhe prindërve." Sidoqoftë, konsideroj se nisma juaj nuk e justifikon publikimin e të dhënave të ndjeshme personale të fëmijëve në një platformë të hapur në internet (pavarësisht nga lloji i qasjes në ato të dhëna).
Për më tepër, ju i referoheni nenit 30. paragrafi 5. pika 2. e "Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale" të Republikës së Serbisë (srb. ZZPL) dhe përmendni se "Komisioneri për të drejtën e qasjes në informacion publik" ka kryer mbikëqyrjen inspektuese dhe ka konfirmuar se Ministria e Arsimit përpunon të dhënat në përputhje me nenin 12. të ZZPL, dhe se për këtë përpunim nuk është i nevojshëm miratimi i prindërve. Problemi në këtë arsyetim qëndron në faktin se neni 30. i “Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale,” flet për përjashtimet lidhur me pëlqimin, por jo ekskluzivisht për fëmijët dhe jo në kontekstin e të dhënave mbi gjendjen shëndetësore. Komisioneri mund të merrte vendim vetëm në kuptimin e përgjithshëm të nenit 30., por jo në rastin konkret të përdorimit e të dhënave personale të fëmijëve pa pëlqimin e prindërve, sipas nenit 12. të ZZPL.
Duke marrë parasysh këtë më sipër, dëshiroj të theksoj disa nene të ZZPL, të cilat kanë rëndësi më të madhe në këtë rast dhe përcaktojnë qartë detyrimin që të gjithë të respektojnë të drejtën e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave të fëmijëve dhe të miturve.
Neni 16. - Miratimi i të miturve në lidhje me përdorimin e shërbimeve të shoqërisë së informacionit
"Një i mitur që ka mbushur 15 vjet mund të japë pëlqimin për përpunimin e të dhënave të tij personale për përdorimin e shërbimeve të shoqërisë së informacionit. Nëse i mituri nuk ka mbushur 15 vjet, pëlqimi duhet të jepet nga prindi ose kujdestari ligjor që ushtron të drejtën prindërore. Përpunuesi i të dhënave duhet të marrë masa të arsyeshme për t’u siguruar se pëlqimi është dhënë nga prindi ose kujdestari ligjor, duke marrë parasysh teknologjitë e disponueshme."
Në këtë rast, Ministria e Arsimit mbledh dhe përpunon të dhënat e fëmijëve të të gjitha moshave, duke përfshirë edhe fëmijët nën 15 vjet, pa miratimin e duhur të prindërve. Kjo shkel të drejtën e prindërve për të kontrolluar publikimin dhe përdorimin e të dhënave personale të fëmijëve të tyre, e cila është qartësisht e përcaktuar në nenin 16. të ZZPL.
Neni 17. - Përpunimi i të dhënave të veçanta personale
"Ndalohet përpunimi i të dhënave që zbulojnë origjinën racore ose etnike, mendimin politik, bindjet fetare ose filozofike, ose anëtarësinë në sindikatë, si dhe përpunimi i të dhënave gjenetike, të dhënave biometrike për identifikimin unik të individit, të dhënave shëndetësore ose të dhënave për jetën ose orientimin seksual të individit. Përjashtime nga kjo ndalesë lejohen në rrethana të veçanta, për shembull, kur individi jep pëlqimin e tij të shprehur për një ose më shumë qëllime të përpunimit, kur përpunimi është i nevojshëm për mbrojtjen e interesave jetike të individit ose kur përpunimi kryhet për qëllime të rëndësishme të interesit publik."
Të dhënat që synoni të publikoni në portalin "Zdravitas," të cilat kanë të bëjnë me aftësitë motorike, kondicionin fizik dhe aspekte të tjera shëndetësore të fëmijëve, bien në kategorinë e të dhënave të ndjeshme shëndetësore. Për këtë arsye, përpunimi i tyre kërkon miratim të shprehur nga prindërit. Gjithashtu, shtrohet pyetja për përgjegjësinë – a është Ministria e Arsimit apo Ministria e Shëndetësisë përgjegjëse për mbledhjen dhe ruajtjen e këtyre të dhënave, veçanërisht për karakterin e tyre shëndetësor.
Neni 12. - Të drejtat dhe detyrimet e përpunuesit
Neni 12. i ZZPL përcakton qartë se të dhënat duhet të përpunohen vetëm nëse është e nevojshme, proporcionale me qëllimin dhe në përputhje me parimin e minimizimit e të dhënave. Projekti juaj "Zdravitas" nuk i përmbush këto kushte, pasi përfshin mbledhjen e tepërt e të dhënave që kanë të bëjnë me karakteristikat fizike dhe shëndetësore të fëmijëve të mi, të cilat nuk bien në kategorinë e interesit publik ose të interesave jetësorë dhe përbëjnë shkeljen e të drejtës për privatësi.
Dobësitë e projektit dhe bazat për kundërshtimin e publikimit e të dhënave personale
- Mungesa e informimit të prindërve për qëllimet dhe mënyrën e zbatimit të projektit – Si prind, nuk jam informuar asnjëherë për ekzistencën dhe qëllimet e këtij projekti. As prindër të tjerë nuk kanë pasur ndonjë informacion për realizimin e tij gjatë viteve të kaluara. Ne u informuam për projektin në mesin e tetorit të këtij viti, kur fëmijët na informuan se në orën e edukimit fizik në klasën e tretë të shkollës fillore ishte kryer një matje “e pazakontë” e lartësisë dhe peshës së tyre, gjë që u kishte shkaktuar shqetësim fëmijëve dhe prindërve. Pas reagimit tim, mësova se mbledhja e të dhënave bëhej në kuadër të projektit "Zdravitas", të cilin e realizon Ministria e Arsimit, për të cilin deri atëherë nuk kisha asnjë informacion. Sipas të dhënave të disponueshme në internet, fazat specifike të projektit filluan me reformën e lëndës Edukimi Fizik dhe Shëndetësor gjatë vitit shkollor 2017/18, ndërsa disa media përmendin fillimin e zbatimit që në vitin 2011. Mungesa e informimit të prindërve mbi qëllimet dhe zbatimin e projektit në fazat e mëparshme ka sjellë konfuzion dhe pasiguri lidhur me mbledhjen e të dhënave personale të nxënësve në platformën e re, gjë që kërkon pëlqimin e shprehur të prindërve. Informimi i prindërve në kohë do të kishte ulur dukshëm paqartësitë dhe do të kishte mundësuar përfshirjen e prindërve në përmirësimin dhe përshtatjen e këtij projekti.
- Sfida në personalizimin e qasjes: Nxënësit që janë mbipeshë ose me aftësi të ulëta fizike mund të përjetojnë siklet gjatë testimeve, veçanërisht në testet ku paraprakisht e dinë se nuk do të arrijnë rezultate të mira, gjë që mund të krijojë ndjenjën e dështimit. Manuali i publikuar nga Ministria e Arsimit sugjeron një qasje të personalizuar, por zbatimi i saj mund të jetë sfidues për shkak të kufizimeve të stafit nëpër shkolla.
- Pamjaftueshmëria e kualifikimit të stafit mësimdhënës – Në shkollat fillore të Preshevës, arsimin nga lënda e edukimit fizik për nxënësit nga klasa 1 deri në 4 e kryejnë mësuesit/et, gjë që ngre dyshime të arsyeshme për kompetencën e tyre në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave specifike fizike dhe shëndetësore të nxënësve. Prindërit kanë shqetësime reale, se për shkak të mungesës së trajnimit të mësuesve, rezultatet e mbledhura në këto kushte mund të jenë të pasakta, gjë që mund të çojë në përfundime të gabuara dhe madje të rrezikojë shëndetin e nxënësve. Stafi në klasat e larta të shkollës fillore dhe në shkollat e mesme, i përbërë kryesisht nga arsimtarët të edukatës fizike, gjithashtu nuk është plotësisht i aftësuar për këto detyra, duke qenë se kompetencat e tyre janë të kufizuara në edukimin shëndetësor. E njohur është gjerësisht që ekspertët nga fusha e pediatrisë, mjekësisë sportive, fiziologjisë dhe ushqyerjes (nutricionistët) janë më kompetentë për këto detyra. Përfshirja e këtyre ekspertëve në punën me nxënësit do të përmirësonte ndjeshëm qëllimet e projektit dhe do të mundësonte një vlerësim më të besueshëm të zhvillimit shëndetësor dhe fizik të fëmijëve.
- Krahasimi me standardet pa ndjekje individuale të shëndetit: Qasja që bazohet në vlerat e referencës përmes kritereve mund të jetë kufizuese, pasi që jo gjithmonë tregon drejtpërdrejt për gjendjen shëndetësore të nxënësit, por përfaqëson vlera ideale. Mungesa e një kontrolli shtesë shëndetësor mund të çojë në faktin që probleme të caktuara shëndetësore të mos vihen re nëse nuk evidentohen përmes testimeve fizike ose të japin udhëzime të gabuara prindërve.
- Mungesa e kapaciteteve infrastrukturore të shkollave – Shkollat fillore dhe të mesme në Preshevë kanë salla për edukim fizik, por përballen me mungesën e konsiderueshme të pajisjeve të nevojshme sportive për përgatitjen e nxënësve në disiplina të ndryshme sportive, veçanërisht në atletikë dhe gjimnastikë, që pengon zhvillimin e gatishmërisë së tyre fizike dhe shëndetit. Vlen të theksohet, që këto shkolla nuk kanë kuzhina për vite me radhë, në të cilat nxënësve do t'u sigurohej ushqim i larmishëm dhe ushqyes; në vend të kësaj, nxënësit marrin një ushqim të thatë në formën e një buke në klasa. Mungesa e stafit të kualifikuar për sporte të ndryshme, veçanërisht për artet marciale, kufizon më tej mundësitë e punës me nxënësit. Për më tepër, komuna e Preshevës nuk ka një Sallë Sportive publike, çka e bën të pamundur vazhdimin e praktikës së sporteve dhe vështirëson realizimin e qëllimeve të këtij projekti.
- Mungesa e motivimit të nxënësve: Një nga problemet është që nxënësit nuk janë të informuar mjaftueshëm mbi qëllimin e testimeve, gjë që mund të ulë motivimin dhe qëndrimin e tyre pozitiv ndaj pjesëmarrjes në proces. Kjo është veçanërisht e theksuar tek nxënësit që arrijnë rezultate më të dobëta në testime, gjë që mund të çojë në një qëndrim negativ ndaj edukimit fizik.
Të dhënat fizike, si peshimi, gjatësia, fuqia, shpejtësia dhe parametra të ngjashëm, mund të jenë të rëndësishme për arsimtarët e edukimit fizik për qëllimin e ndjekjes së progresit të nxënësve, por nuk e justifikojnë publikimin e tyre në një platformë interneti. Të dhënat për zhvillimin fizik dhe motorik të fëmijëve mund të ruhen dhe përdoren ekskluzivisht brenda institucionit arsimor dhe të jenë në dispozicion vetëm për specialistët përkatës dhe prindërit deri në përfundimin e arsimit të nxënësve, brenda këtyre institucioneve ose përmes sistemit ekzistues të pranuar si "Ditar Elektronik".
Si prind, shpreh kundërshtim të ashpër ndaj publikimit të këtyre të dhënave në platformën e veçantë dhe kërkoj që përpunimi i të dhënave të kufizohet në statistika në nivelin e institucioneve arsimore, pa identifikimin personal, ose vetëm duke përdorur numrin identifikues të nxënësit, pa emrin dhe mbiemrin. Një qasje e tillë respekton parimin e mbrojtjes së privatësisë dhe ofron një pasqyrë të gjendjes së përgjithshme të zhvillimit fizik të nxënësve, pa cenuar të drejtat e fëmijëve individualisht.
Të përsërisë, duke u bazuar në nenin 12. të ZZPL, projekti juaj "Zdravitas" nuk përmbush asnjë nga kushtet dhe nuk justifikon kërkesën tuaj për përdorimin e të dhënave personale të fëmijëve dhe prindërve. Publikimi i të dhënave individuale personale në këtë projekt nuk mund të kategorizohet në "interesin jetësor", "interesin publik" dhe nuk përfaqëson "interes legjitim".
Që nga lindja, fëmijët e mi kanë të njëjtin pediatër specialist që ndjek gjendjen e tyre shëndetësore dhe për këtë arsye nuk e shoh të arsyeshme që një institucion arsimor të publikojë në internet të dhëna shëndetësore të fëmijëve të mi, me arsyetim të informimit tim.
Publikimi i të dhënave personale, duke përfshirë parametrat e kondicionit fizik dhe aftësive motorike, mund të çojë në stigmatizimin e fëmijëve, veçanërisht atyre që përballen me sfida fizike ose shëndetësore. Jemi informuar në takimin e fundit të prindërve nga arsimtarët se disa fëmijë po shmangin orët e edukimit fizik për shkak të shqetësimit lidhur me këtë projekt, gjë që ndikon negativisht në arsimimin dhe zhvillimin e tyre emocional.
Ministria e Arsimit mund të arrijë të njëjtat qëllime pa rrezikuar privatësinë, përmes analizës së të dhënave statistikore të mbledhura, duke siguruar mbrojtjen e duhur e të drejtave të fëmijëve. Prindërit janë shprehur tashmë me shkrim në lidhje me projektin "Zdravitas" në Shkollën Fillore "Profesor Ibrahim Kelmendi" në Preshevë. Dua të theksoj se nuk bëhet fjalë për miratimin ose refuzimin e prindërve për të publikuar të dhënat e tyre personale në portal, por për refuzimin e prindërve për të publikuar të dhënat e fëmijëve dhe prindërve në portalin "Zdravitas". Ndërkohë, drejtoria e Shkollës së Mesme Teknike dhe e Gjimnazit në Preshevë, nuk i ka informuar fare prindërit për qëllimin e projektit "Zdravitas", duke mbledhur në mënyrë të "fshehtë" të dhënat fizike dhe shëndetësore të nxënësve, pa miratimin e prindërve, për këtë arsye këto të dhëna janë të pavlefshme dhe paraqesin thyerjen flagrante të ZZPL.
Përfundim dhe paralajmërim
Dua të theksoj edhe një herë – nuk jam kundër pjesëmarrjes së fëmijëve të mi në mbledhjen e parametrave motorike dhe shëndetësorë në shkollat e Preshevës për publikimin e të dhënave të përgjithshme statistikore, që mund të janë me interes publik. Jam kundër publikimit e të dhënave motorike dhe shëndetësore të fëmijëve të mi së bashku me të dhënat e tyre personale.
Nëse Ministria e Arsimit dhe institucionet e përmendura arsimore në Komunën e Preshevës vazhdojnë me përmbushjen e plotë të objektivave të projektit "Zdravitas", pavarësisht mangësive të këtij projekti dhe paligjshmërisë në disa pika, dhe vazhdojnë me shpërndarjen e të dhënave personale të fëmijëve të mi në platformën e paraparë me këtë projekt, do të jem i detyruar të ndërmarr të gjitha hapat ligjorë të mundshëm, duke përfshirë nisjen e procedurave ligjore pranë organeve shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe informimin e organizatave lokale dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, dhe mënyrave tjera ligjore të shprehjes së protestës, për të mbrojtur privatësinë dhe të drejtat e fëmijëve të mi.
Ju lutem, që të respektoni qëndrimin tim prindëror dhe kërkoj që të dhënat e fëmijëve të mi të përdoren vetëm në përputhje me ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale, pa publikimin e informacioneve të ndjeshme dhe të dhënave personale në portalet publike të internetit.
Me respekt,
Tomor Misini
14.11.2024.