Ballkani në ciklin e krizave: Diplomacia që ushqen destabilizimin
Kur krizat nuk kanë fajtor – Magjia e diplomacisë perëndimore
Ah, diplomacia evropiane dhe ajo amerikane – mjeshtre të pacenueshme të strategjive të thelluara, gjithmonë në gjendje të identifikojnë rrënjët e problemeve… apo jo? Çuditërisht, nëse shikojmë hartën e krizave të vazhdueshme në Ballkan, e kemi një model të përsëritur: Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali i Zi, Kosova, Serbia, herë pas here Maqedonia e Veriut. Ç’mrekulli! Duket sikur dikush gjithmonë arrin të qëndrojë në qendër të çdo problemi rajonal. Vallë, kush mund të jetë ai?
Epo, do të ishte e pamatur të kërcenim menjëherë në përfundime. Le të ndjekim logjikën e diplomacisë perëndimore: në vend që të analizojmë faktet, le të relativizojmë gjithçka! "Të gjithë kanë faj," "duhet të punojmë për pajtimin," "çdo palë duhet të bëjë lëshime!" – një metodë brilante për të mos adresuar kurrë thelbin e çështjes.
Por, për ata që nuk e kanë kaluar jetën duke u vetë-udhëzuar me deklarata boshe diplomatike, përgjigja është e thjeshtë: një komunitet etnik jeton në të gjitha këto shtete dhe vazhdimisht shkakton probleme. Po, serbët (më saktësisht, udhëheqësit e tyre të përhershëm nostalgjikë për të kaluarën perandorake). Ata, që gjithmonë e kanë proklamuar veten si popull liridashës dhe krijues të dy Jugosllavive, të cilat, ironi e fatit, u shembën pikërisht nga duart e tyre. Po, e keni dëgjuar saktë! Ata që e shpikën Jugosllavinë, ishin gjithashtu ata që e hodhën në erë, sepse nuk mund të jetonin ndryshe përveçse në pozitat dominuese.
Dhe tani, kur këto ëndrra të mëdha "federative" janë rrënuar, çfarë kemi? Komunitete serbe në secilin prej këtyre shteteve, të cilat kurrsesi nuk mund të pranojnë të jetojnë si qytetarë të barabartë. Ata nuk janë mësuar të jenë pjesë e një shoqërie demokratike ku vendimet nuk varen ekskluzivisht nga Beogradi. Kjo i bën nervozë. Aq nervozë, saqë periodikisht, në të gjitha këto vende, krijojnë tensione, provokime, madje edhe minikrizat e tyre për të mbajtur gjallë narrativën e "viktimës" dhe për të hapur dyert për ndërhyrjet e Serbisë.
Dhe çfarë bën diplomacia perëndimore përballë kësaj? Ligjëron për moralin: "Duhet dialog!", "Duhet mirëkuptim!" – duke mos harruar të ftojë në ndonjë drekë pune liderët që nuk e fshehin dëshirën e tyre për destabilizim. Dhe, natyrisht, duke ruajtur neutralitetin e famshëm – sepse s’ka rëndësi kush e nis problemin, rëndësi ka që të gjithë të bëjmë kompromis!
Ndërkohë, serbët në Serbi gëzojnë një homogjenitet të përkryer, me pakicat e tjera të margjinalizuara, pa të drejta të krahasueshme me ato që serbët marrin në vendet fqinjë. Por, sërish, kjo s’duhet të na shqetësojë, sepse, siç na mëson diplomacia e përulur perëndimore, disa popuj thjesht kanë më shumë të drejta për të qenë “të përkëdhelur” sesa të tjerët.
Kështu, cikli vazhdon… Deri herën tjetër, kur një krizë e re do të shpërthejë diku në rajon dhe do të thirret sërish "samiti i pajtimit" për të diskutuar se si viktimat duhet të bëjnë lëshime ndaj agresorëve. Sepse, natyrisht, nëse historia na ka mësuar diçka, është se politika perëndimore e trajtimit të problemeve me deklarata të buta dhe duarshtrëngime të kota, kjo gjithmonë ka funksionuar. Apo jo?
Serbia e përkëdhelura, Kosova e sanksionuara - Një recetë për kriza të pafundme
Kjo është ironia e politikës ndërkombëtare në shkëlqimin e saj më të madh! Serbia, arkitekte e disa prej konflikteve më brutale të Ballkanit, pas viteve të tmerrshme të luftërave, nuk u ndëshkua me sanksione të rrepta afatgjata apo me masa që do ta kufizonin agresionin e saj të ardhshëm, sikurse Gjermania Naziste. Përkundrazi, ajo u lejua të mbajë një ushtri të fortë, të zhvillojë forca paramilitare dhe madje u shpërblye me disa territore të dhuruara në proceset e pas-luftës. Dhe më e bukura? Ky shtet, i cili e nisi valën e shkatërrimit në Ballkan, sot vazhdon të veprojë si faktor destabilizues, jo vetëm jashtë kufijve të vet, por edhe brenda Serbisë, ku ushtria dhe policia përdoren herë për të frikësuar pakicat, herë për të disiplinuar edhe vetë qytetarët serbë që nuk e ndjekin verbërisht linjën e qeverisë.
Nga ana tjetër, Kosova – viktima e agresionit brutal të Serbisë – u trajtua me kujdesin tipik të "aleatëve" të saj, të cilët duket se kanë një talent të veçantë për t’i kufizuar miqtë dhe për t’i lënë duarlidhur. Pas vitit 1999, në vend që të lejonin ndërtimin e një shteti të fuqishëm e të aftë për të mbrojtur veten, Perëndimi zgjodhi të "menaxhojë" Kosovën në mënyrën më të çuditshme të mundshme: pa zhvillimin e ushtrisë së rregullt vendase, pa kontroll të plotë mbi kufijtë administrativë dhe gjithmonë nën hijen e një mekanizmi ndërkombëtar që, në thelb, e bënte shtetin e ri të pafuqishëm për t’u ngritur dhe vetëmbrojtur.
Çfarë rezultati solli kjo? Një situatë e përsosur për Beogradin, i cili, sa herë që ka nevojë për ndonjë krizë të vogël, mund të dërgojë "grupet e shqetësuara të qytetarëve serbë" në veriun e Kosovës, të provokojë tensione dhe të shfaqet si viktimë përpara bashkësisë ndërkombëtare. E diplomacia evropiane, ajo e neutralitetit të përhershëm dhe justifikimeve të pashtershme, çfarë bën? Vendos sanksionet për Kosovën, hedh sytë mënjanë dhe fton palët për "dialog të sinqertë", ndërsa Serbia vazhdon të manovrojë me strukturat e saj paralele dhe të provokojë sa herë që është politikisht e leverdishme për Beogradin.
Por ja që loja është e qartë: Serbia u lejua të zhvillojë ushtrinë, të mbajë policinë paramilitare dhe të vazhdojë një politikë të hapur kërcënimi ndaj fqinjëve të saj, ndërsa Kosovës i është vendosur një bllokadë e heshtur për të mos lejuar që të bëhet një shtet i aftë për të mbrojtur veten. Dhe pastaj, kur situata tensionohet, vjen ai refreni i njohur nga Perëndimi: "Të dyja palët duhet të përmbahen!" Ah, çfarë drejtësie! Çfarë ekuilibri i ndershëm! Sulmuesi dhe viktima trajtohen njësoj, sepse... "stabiliteti rajonal" është më i rëndësishëm sesa të thuhet e vërteta dhe të ndëshkohet agresori i vërtetë.
Kështu vazhdon loja: Serbia provokon, Kosova detyrohet të përmbahet, ndërsa "aleatët" shprehin shqetësimin e tyre me ndonjë deklaratë të vakët. Sepse, në fund të fundit, duket se Perëndimi ka më shumë frikë nga një Kosovë e fortë sesa nga një Serbi që ka dëshmuar, përsëri e përsëri, se nuk është as e aftë dhe as e interesuar për të jetuar në paqe me fqinjët e saj.
Po të kishte ndodhur kështu në Kosovë?
Viti 1999 - Pas një dekade represioni brutal dhe një fushate të egër spastrimi etnik nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, Aleanca Euroatlantike, NATO, ndërhyn ushtarakisht dhe detyron Serbinë të kapitullon. Bombardimet strategjike mbi makinerinë ushtarake dhe strukturat shtetërore të Beogradit rezultojnë në nënshkrimin e një marrëveshjeje pa kushte nga qeveria serbe. Millosheviqi dhe klika e tij dorëzohen, duke shënuar fundin e agresionit dhe çlirimin e plotë të Kosovës.
Menjëherë pas kapitullimit serb, shpallet pavarësia e plotë e Kosovës brenda kufijve të saj administrativë ekzistues - kështu duke e liruar opozitën serbe brenda Serbisë nga bara e ardhshme për negocitat me Kosovën rreth pranimit të pavarësisë dhe hidhet tërë faji mbi regjimin e Millosheviqit - Nuk ka negociata të gjata e të lodhshme, nuk ka plan të Ahtisaarit, nuk ka një periudhë të gjatë status quo-je nën administrimin e OKB-së. Kosova njihet menjëherë nga shtetet kryesore perëndimore dhe pranohet si anëtare e organizatave ndërkombëtare pa vonesa artificiale.
Në të njëjtën kohë, një pjesë e territorit të Serbisë me shumicë shqiptare, Lugina e Preshevës, vendoset nën administrim të përkohshëm ushtarak të NATO-së dhe administrim civil të Bashkimit Evropian. Një mekanizëm i ri autonom garanton të drejtat politike, kulturore dhe ekonomike të shqiptarëve të Luginës, duke u dhënë atyre mundësinë e një referendumi të lirë për vetëvendosje pas një periudhe dhjetëvjeçare.
Në Kosovë, administrata e përkohshme nuk drejtohet nga Kombet e Bashkuara (të njohura për burokracinë e tyre të ngathët dhe për imponimin e kompromiseve të pafavorshme), por nga një mekanizëm i drejtpërdrejtë i Bashkimit Evropian dhe NATO-së. Ky administrim zgjat vetëm tetë vite dhe ka për detyrë të vendosë një sistem të fortë institucional, duke u bazuar në modele të shteteve më të zhvilluara të Evropës. Brenda kësaj periudhe, Kosova formon ushtrinë e saj të plotë, ndërtimin e kapaciteteve shtetërore dhe përfshihet në proceset integruese euroatlantike.
Ndërkohë, Serbia përballet me pasojat e agresionit të saj. Për të parandaluar çdo tendencë revanshiste dhe militarizimi të mëtejshëm, mbi Beogradin vendosen sanksione të rënda ushtarake dhe ekonomike. Ushtria serbe çmilitarizohet, ndalohet zhvillimi i saj dhe i industrisë së armatimit për 30 vitet e ardhshme. Çdo lloj ndihme financiare nga institucionet ndërkombëtare lidhet me kushtin që Serbia të pranojë përgjegjësinë për krimet e luftës dhe të zbatojë politika të pajtimit me fqinjët.
Në këtë skenar, historia e Ballkanit pas vitit 1999 do të kishte një rrjedhë krejt tjetër. Kosova do të ishte bërë pjesë e strukturave perëndimore që në dekadën e parë të pavarësisë, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do të ishin lënë në mëshirën e politikave shoviniste të Beogradit, ndërsa Serbia do të ishte e detyruar të përballej me pasojat reale të agresionit të saj, pa pasur mundësi të rikthehej si faktor destabilizues në rajon dhe besoj edhe vetë serbet do të jetoni më mirë në Serbi.
Por historia nuk ndodhi kështu…