Elon Musk dhe normalizimi i ideologjive të urrejtjes: A po bëhet teknologjia vegël e fashizmit modern?

Elon Musk dhe normalizimi i ideologjive të urrejtjes: A po bëhet teknologjia vegël e fashizmit modern?
Elon Musk / Imazhi i krijuar nga IA

A është Elon Musk më shumë se një simpatizant?

Elon Musk shpesh përshkruhet si një vizionar, një sipërmarrës që po formëson të ardhmen e teknologjisë dhe hapësirës. Por, përtej imazhit të një miliarderi ekscentrik dhe inovator, ekziston një rrjet i errët lidhjesh që ngrihet nga e kaluara dhe shtrihet deri në të tashmen. Nga rrënjët e tij familjare nga Kanadaja, deri në Afrikën e Jugut të aparteidit, e deri te sjelljet dhe vendimet e tij të sotme, ka shumë gjurmë që sugjerojnë një afërsi alarmante me ideologjitë e së djathtës ekstreme. Pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur veten si një kampion të lirisë së fjalës dhe inovacionit, postimet e tij në Twitter (tani "X"), angazhimet e tij politike dhe vendimet e tij korporative kanë reflektuar një simpati të përsëritur për teori konspirative të supremacistëve të bardhë, ideologji fashiste, naziste dhe aktorë të tjerë të radikalizuar. A është kjo thjesht një strategji për të ushqyer një bazë të caktuar ndjekësish apo një pasqyrim i vërtetë i bindjeve të tij? Për të kuptuar më mirë këtë dimension më pak të njohur të figurës së Musk, duhet të eksplorojmë jo vetëm të kaluarën e tij familjare, por edhe vendimet dhe ndikimin e tij në mjedisin politik dhe kulturor të sotëm.

Nëse ka një emër që dominon epokën moderne të inovacionit teknologjik, ai është Elon Musk. Pioniere i hapësirës, makinave elektrike dhe inteligjencës artificiale, Musk shpesh paraqitet si një vizionar i palodhur që synon të ndryshojë të ardhmen e njerëzimit. Por, përtej arritjeve të tij të jashtëzakonshme, rrënjët e tij familjare lidhen me një figurë komplekse dhe kontradiktore: gjyshin e tij nga ana e nënës, Joshua Haldeman.

Joshua Haldeman: Trashëgimia kontestuese e gjyshit të Elon Musk dhe hijet e së djathtës ekstreme

Një aventurier, pilot dhe politikan

Joshua Haldeman lindi në Kanada dhe u bë i njohur për shpirtin e tij eksplorues dhe jetën e pasur me aventura. Pilot i aftë, ai udhëtoi nëpër botë me familjen e tij, duke eksploruar zona të largëta dhe duke ndarë vizionin e tij mbi botën. Megjithatë, ky njeri, që do të dukej si një ëndërrimtar i guximshëm, fshehte prirje politike dhe ideologjike të diskutueshme që kanë ndezur debat të gjerë mbi trashëgiminë e tij.

Errol Musk - babai i Elon Musk

Prirjet e dyshimta ideologjike: Simpati për nazizmin dhe mbështetje për apartheidin
Sipas dokumenteve dhe dëshmive të ndryshme, Joshua Haldeman mbante qëndrime të forta kundër demokracisë tradicionale dhe ishte i përfshirë në lëvizje politike me ndikim të theksuar të ekstremit të djathtë.

1. Simpatitë për Gjermaninë Naziste
Sipas babait të Elon Musk, Errol Musk, babai i gruas së tij, Joshua Haldeman shprehu admirimin e tij për regjimin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai gjithashtu mbronte dhe promovonte Protokolet e Pleqve të Sionit, një tekst i diskredituar që përmbante teori konspirative antisemitike mbi një "komplot global hebre".

2. Përkrahja e Apartheidit në Afrikën e Jugut
Në vitin 1950, Haldeman u shpërngul në Afrikën e Jugut, një shtet ku ai mbështeti hapur politikën e segregacionit racial, e cila ishte e frymëzuar pjesërisht nga politika racore naziste. Ai e shihte këtë sistem si një mënyrë për të mbrojtur "civilizimin e krishterëve të bardhë" nga ndikimet e jashtme që ai i quante kërcënuese.

3. Lidhjet me Partinë Social Credit dhe Lëvizjen Teknokratike
Haldeman ishte aktiv në Partinë Social Credit në Kanada, një organizatë politike e njohur për retorikën e saj antisemitike dhe kundërshtimin ndaj sistemit tradicional bankar. Ai gjithashtu drejtoi degën kanadeze të Technocracy Incorporated, një lëvizje që propozonte një sistem qeverisjeje të drejtuar nga ekspertë teknikë dhe jo nga politikanët tradicionalë - me moton "në shkencë ne besojm". Megjithëse nuk ishte një lëvizje naziste, ajo kishte tendenca autoritare dhe promovonte eliminimin e demokracisë parlamentare.

Një trashëgimi e vështirë për Elon Musk
Në vitet e fundit, Elon Musk është kritikuar për mbështetjen e ideve të së djathtës ekstreme, përfshirë politikanë të lidhur me supremacinë e bardhë dhe grupe populiste në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Ai është tashmë i përfshirë në administratën e Donald Trump dhe është duke dhënë deklarata që interpretohen si simpati ndaj lëvizjeve të së djathtës ekstreme në Gjermani. Së fundmi, ai u vu në qendër të vëmendjes pasi përshëndeti me dorën e ngritur, një gjest që shumëkush e krahasoi me përshëndetjen naziste.

Burimet: operacioni "Paperclip" dhe lidhja me Wernher von Braun
Një tjetër figurë historike që ka lidhje me vizionin e Musk për hapësirën është Wernher von Braun, shkencëtari gjerman i raketave që u bë një nga arkitektët kryesorë të programit hapësinor të SHBA-së. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, von Braun dhe shumë shkencëtarë të tjerë gjermanë (nazist) u rekrutuan (rreth 1.500 persona) nga qeveria amerikane në atë që njihet si Operacioni "Paperclip". Këta punuan në programet e ushtarake dhe hapësinore. Von Braun dhe ekipi i tij ndihmuan SHBA-të në zhvillimin e programit Apollo, që çoi në uljen e njeriut në Hënë në vitin 1969.

Rrënjët e Von Braun në Gjermaninë Naziste
Von Braun ishte një nga drejtuesit e programit raketor nazist dhe ndihmoi në krijimin e raketës V-2, e cila u përdor për të bombarduar qytete në Evropë. Ai ishte anëtar i Partisë Naziste dhe kishte lidhje me njësinë famëkeqe SS, megjithëse më vonë pretendoi se përfshirja e tij ishte e detyruar.

A është një rastësi apo trashëgimi e ndikimit?
Von Braun shkroi disa libra mbi eksplorimin e Marsit, duke përfshirë "The Mars Project" dhe "Project Mars: A Technical Tale". Një detaj intrigues është lidhja e Musk me vizionin e kolonizimit të Marsit. Në një roman shkencor të shkruar në vitet 1940 nga Wernher von Braun, lideri suprem i një qeverie të imagjinuar marsiane mbante titullin "Elon". Musk e ka pranuar këtë si një rastësi të çuditshme, por disa besojnë se trashëgimia ideologjike e familjes së tij mund të ketë pasur ndikim në vizionin e tij për të ardhmen. Gjithashtu, babai u Elon Musk, Errol, kishte deklaraur se gjyshi, Joshua Haldeman, ja kishte vënë emrin Elon.

E kalura që hedh hijet e saj mbi të ardhmen
Historia e Joshua Haldeman dhe lidhjet e mëvonshme me figura si Wernher von Braun tregojnë se e kaluara është gjithmonë e pranishme në formësimin e vizionit të së ardhmes. Elon Musk, pavarësisht trashëgimisë së tij, ka ndërtuar rrugën e tij të veçantë drejt yjeve. Megjithatë, ndikimet e historisë familjare dhe afrimi i tij i fundit me të djathtën ekstreme ngre pyetje serioze për orientimin e tij ideologjik dhe ndikimin e tij në skenën globale.