Putin ka shtypur “Butonin e panikut”

A mund të ballafaqohen shtetet e Evropës me fuqinë ushtarake të Rusisë në një konflikt të gjerë?
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, politika dhe strategjia ushtarake globale kanë ndryshuar ndjeshëm. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje të konsiderueshme financiare, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, por përballë agresionit të Rusisë, lind pyetja thelbësore: a do të ishin vendet evropiane të afta të përballonin një konflikt të përmasave të gjera kundër Rusisë, veçanërisht nëse do të angazhoheshin drejtpërdrejt në frontin ukrainas?
Disproporcioni midis popullsisë dhe fuqisë ushtarake
Numrat e popullsisë shpesh shihen si tregues indirekt i fuqisë ushtarake. Rusia, me rreth 145 milion banorë, përballet me një bllok evropian prej mbi 500 milionë banorësh, pa përfshirë Shtetet e Bashkuara që numërojnë rreth 345 milionë. Logjikisht, një koalicion me mbi 500 milionë banorë nuk duhet të kishte nevojë të mbështetej te SHBA për të kundër-përballur Rusinë. Megjithatë, realiteti ushtarak dhe strategjik është më kompleks se thjesht raporti i popullsisë.
Dobësitë dhe avantazhet ushtarake të BE-së
Bashkimi Evropian nuk ka një forcë ushtarake të bashkuar. Vendet e tij anëtare varen nga NATO, ku SHBA-ja luan rolin kryesor. Megjithëse, shumica e vendeve evropiane disponojnë me forca të konsiderueshme ushtarake, ato nuk janë të unifikuara në kuptimin veprues dhe komandues. Gjermania, Franca, Italia dhe Polonia, me gjithë fuqinë e tyre ekonomike, kanë patur historikisht shpenzime të ulëta ushtarake. Kjo ka sjellë deficit në mobilizim dhe aftësi të shpejtë veprimi.
Forcat ushtarake e disa vendeve të BE-së dhe jashtë sajë janë si më poshtë (përfshihet personeli aktiv dhe rezervë nga të gjitha degë ushtarake dhe paramilitare):
- Franca: 341,000 personel ushtarak
- Gjermania: 254,000 personel ushtarak
- Italia: 290,000 personel ushtarak
- Spanja: 215,000 personel ushtarak
- Polonia: 210,000 personel ushtarak
- Finlanda: 894,000 personel ushtarak
- Suedia: 55,000 personel ushtarak
- Holanda: 43,000 personel ushtarak
- Norvegjia: 94,000 personel ushtarak
- Danimarka: 84,000 personel ushtarak
- Estonia: 47,000 personel ushtarak
- Letonia: 55,000 personel ushtarak
- Lituania: 65,000 personel ushtarak
- Belgjika: 31,000 personel ushtarak
- Austria: 23,000 personel ushtarak
- Ukraina: 380,000 personel ushtarak
Në total, BE-ja dhe Ukraina kanë mbi 1.5 milion personel ushtarak aktiv, por këto forca janë të shpërndara dhe nuk operojnë nën një komandë të përbashkët.
Teknologjia bashkëkohore ushtarake
Megjithatë, BE-ja ka një avantazh të qartë në aspektin teknologjik dhe industrial. Avionët luftarakë si Eurofighter Typhoon dhe Rafale janë superiorë ndaj Su-35-ve të Rusisë. Mbrojtja ajrore me sisteme si Patriot dhe SAMP/T e kalon efektivitetin e sistemeve S-300 dhe S-400 të Rusisë. Industria ushtarake evropiane, e udhëhequr nga prodhues si Rheinmetall, MBDA dhe Airbus, ka kapacitet më të madh prodhimi sesa industria ruse e lodhur nga sanksionet.
Forca ushtarake e Rusisë
Nga ana tjetër, Rusia ka një forcë të konsiderueshme ushtarake:
- Trupa aktive: 1.5 milion
- Rezervistë dhe personel paramilitar: 3.7 milion
Pavarësisht avantazhit të saj në numra, Rusia po përballet me humbje të mëdha. Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane dhe organizatave të pavarura:
- 315,000 trupa ruse janë vrarë ose plagosur
- Humbur 2/3 e tankeve të saj para luftës
Kjo tregon se, megjithëse Rusia ka avantazhin e një ushtrie të madhe, aftësia e saj për të zëvendësuar humbjet është e kufizuar për shkak të sanksioneve dhe vështirësive teknologjike.
Pse BE-ja varet nga SHBA?
BE-ja nuk është një entitet ushtarak i bashkuar. Shtetet evropiane mbeten të fragmentuara në qasjen e tyre ndaj mbrojtjes, dhe shumë vende e kanë zvogëluar forcën e tyre ushtarake pas Luftës së Ftohtë. Gjermania, për shembull, deri para pak vitesh kishte një ushtri të dobët në raport me fuqinë e saj ekonomike.
Sipas web-faqes “Statista”, që nga ky vit 2025, forcat e kombinuara të NATO-s kanë rreth 3.44 milionë personel aktiv ushtarak, krahasuar me 1.32 milionë personel aktiv ushtarak në ushtrinë ruse. Aftësitë ushtarake kolektive të 32 vendeve që përbëjnë NATO-në e tejkalojnë Rusinë për sa i përket avionëve, në 22,377 deri në 4,957, dhe në fuqinë detare, me 1,143 anije ushtarake, në krahasim me 339 ruse. Për sa i përket mjeteve luftarake tokësore, NATO ka rreth 11,495 tanke, krahasuar me 5,750 ruse. Arsenali i kombinuar bërthamor i Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës arriti në 5,559 koka bërthamore, krahasuar me 5,580 të Rusisë.
SHBA-ja ka interesa strategjike në Evropë. Duke ruajtur varësinë ushtarake të BE-së, ajo siguron ndikimin e saj gjeopolitik. Një BE e fortë ushtarakisht do të sfidonte dominimin amerikan brenda NATO-së dhe do të krijonte mundësi për strategji të pavarura nga Washington-i.
Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se NATO nuk është një aleancë plotësisht e unifikuar nën një komandë të vetme. Shumë shtete anëtare ruajnë një shkallë të lartë autonomie ushtarake, me shembullin më të qartë Francën, e cila ka politikën e saj të pavarur mbrojtëse dhe armën e saj bërthamore jashtë strukturave të NATO-s. Prandaj, krijimi i një aleance të ngjashme ushtarake evropiane nuk do të ishte një sfidë e pamundur, por një hap i logjikshëm drejt një Evrope më të pavarur strategjike-ushtarake.
A ka shtypur Putin 'Butonin e panikut'?
Zhvillimet e fundit sugjerojnë se Vladimir Putin po përpiqet të arrijë një armëpushim para vitit 2026. Ushtria ruse ka pësuar humbje të rënda në Ukrainë. Përveç humbjeve në personel dhe pajisje, Rusia ka gjithnjë e më shumë vështirësi në sigurimin e mikroprocesorëve dhe teknologjisë së avancuar për aeroplan ushtarak dhe raketa balistike, pavarësisht mbështetjes së Kinës.
Teknologjia e prapambetur ushtarake
Rusisë i nevojiten mikroprocesorë për një gamë të gjerë armësh moderne, veçanërisht ato të sofistikuara që mbështeten në teknologji të lartë elektronike dhe inteligjencë artificiale.
Kjo përfshin:
1. Raketat e precizionit të lartë
- Iskander-M – raketa balistike me precizitet të lartë, e cila kërkon procesorë për udhëzim dhe navigim të saktë.
- Kalibr dhe Kh-101 – raketat lundruese që përdorin mikroprocesorë për navigim (GPS) dhe menaxhim fluturimi.
2. Sistemet kundërajrore dhe anti-raketore
- S-400 dhe S-500 – sisteme kundërajrore me radarë të avancuar dhe raketa penguese, ku procesorët janë të rëndësishëm për radarët dhe përllogaritjet e trajektores së goditjes.
3. Sistemet e komunikimit dhe radarët
- Sistemet zbuluese (radar) moderne për monitorimin ajror, detar dhe tokësor kërkojnë mikroprocesorë të fuqishëm për përpunim të shpejtë dhe preciz të të dhënave.
- Komunikimi i koduar dhe transmetimi i të dhënave në operacionet ushtarake mbështetet shumë në mikroprocesorët modernë.
4. Dronët dhe automjetet e pavarura
- Dronët si Lancet dhe Orlan-10 përdorin mikroprocesorë për udhëzim, kontroll dhe përpunim të imazheve në kohë reale.
- Automjetet autonome dhe robotët për operacione speciale gjithashtu varen nga mikroprocesorë për funksionim autonom.
5. Avionët luftarakë dhe helikopterët
- Avionë luftarakë modernë si Su-35, Su-57 dhe bombarduesit strategjikë Tu-160 kërkojnë procesorë të avancuar për avionët, radarët, dhe sisteme luftarake elektronike.
6. Tanket dhe automjetet e këmbësorisë
- Automjetet e blinduara moderne si T-14 Armata ose BMP-3, kërkojnë mikroprocesorë për kontrollin e zjarrit, stabilizimin e armëve, dhe komunikimin në rrjetin ushtarak.
Konteksti aktual
Sanksionet perëndimore pas pushtimit të Ukrainës e kanë vështirësuar qasjen e Rusisë në mikroprocesorë modernë perëndimorë. Kjo ka detyruar Moskën të mbështetet në importin e fshehtë nga vende të treta, ose të prodhojë procesorë më pak të avancuar vendorë ose të importojë ilegalisht mikroçipet civile për t’i përshtatur për përdorime ushtarake.
Në tërësi, mikroprocesorët janë bërë një komponent kritik për modernizimin dhe ruajtjen e kapaciteteve teknologjike të ushtrisë ruse, dhe mungesa e tyre ndikon drejtpërdrejt në efektivitetin dhe saktësinë e armëve më të sofistikuara të Moskës.
Në këtë kontekst, ka shenja se Putin po kërkon një marrëveshje të favorshme përpara se situata të bëhet e pa-menaxhueshme. Me ndikimin e aleatëve të tij politikë në Perëndim, përfshirë Donald Trump dhe disa qeveri të Evropës Lindore, ai po synon të imponojë një proces paqeje që do t’i garantonte Moskës territorin e poshtuar, Donbasin dhe Krimenë.
Konkluzioni
Evropa ka kapacitetin për të ballafaquar fuqinë ushtarake të Rusisë, por për ta bërë këtë duhet një koordinim dhe unifikim më i madh brenda BE-së. Rusia, ndonëse e lodhur, ka ende aftësi të madhe të mobilizimit njerëzor dhe rezerva të konsiderueshme të armatimit të vjetruar dhe bërthamor. Megjithatë, përshpejtimi i modernizimit ushtarak të Evropës dhe presioni ekonomik ndaj Rusisë mund ta shpejtojë fundin e luftës.
Putini ka një dritare të vogël për një armëpushim të favorshëm. Nëse ai nuk arrin një pakt deri në 2026, rrezikon të përjetësojë një konflikt që mund të destabilizojë jo vetëm Ukrainën, por edhe vetë Rusinë.