TRUMP DHE MUSK: PREMTIME TË MËDHA, REZULTATE TË RRALLA DHE RRUGA DREJT FASHIZMIT TEKNOKRATIK

Në një botë ku politika dhe teknologjia po ndërthuren në mënyra të papara më parë, bashkëpunimi mes Elon Musk dhe Donald Trump ofron një shembull të bujshëm të një aleance që sfidon kufijtë mes biznesit, inovacionit dhe politikës. Një "miqësi" që filloi në mënyrë pragmatike gjatë presidencës së parë të Trump, kur të dy kishin përfitime të dukshme nga njëri-tjetri, tani ka arritur kulmin e saj, veçanërisht në fushatën presidenciale të 2024. Por, si shpesh ndodh me aleancat politike dhe korporative, ajo që në fillim duket si një bashkëpunim i frytshëm, shpesh fsheh rreziqe të thella.
Në vitet e fundit, është krijuar përshtypja se Musk dhe Trump ndajnë jo vetëm interesa ekonomike dhe teknologjike, por edhe një filozofi politike që sfidon normat e qeverisjes tradicionale. Ndërkohë që bota i sheh si figura kontradiktore, ky duet ndan disa tipare karakteristike të lidershipit populist, një vizion të theksuar për të ardhmen dhe një qasje të padiskutueshme ndaj pushtetit. Vetëm pak më afër vëzhgimit të thellë, këto ngjashmëri na çojnë drejt disa përpjekjeve të hershme për transformimin e shoqërisë, të ngjashme me atë që ndodhi në Itali në fillimet e Fashizmit dhe ndërhyrjes të Futurizmit në periudhën e Musolinit.
Nga ana personale, si Musk ashtu edhe Trump janë liderë të pamëshirshëm dhe të drejtpërdrejtë, që shpesh provokojnë përplasje në mediat sociale dhe në skenat publike. Të dy janë mjeshtër të komunikimit, duke përdorur një gjuhë populiste për të tërhequr mbështetësit dhe për të thyer barrierat tradicionale të komunikimit. Trump, i njohur për retorikën e tij shpesh të ashpër dhe shpërthyese, ka ndërtuar një bazë të fuqishme të mbështetësve që besojnë se ai është shpëtimtari i Amerikës nga "armiqtë e brendshëm" dhe elitat e korruptuara. Në të njëjtën kohë, Musk, me gjithë kapacitetin e tij për inovacion dhe shpikje, përdor një stil të ngjashëm provokues, duke sfiduar normat dhe institucionet ekzistuese, qoftë në mënyrën e udhëheqjes së kompanive të tij apo në angazhimet publike.
Si figura impulsive dhe me një dashuri të fortë për pushtetin personal, Trump dhe Musk shpesh premtojnë ndryshime dramatike dhe përparime të mëdha që nuk mundën t'i realizojnë plotësisht. Trump, gjatë presidencës së tij të parë, vazhdimisht pretendonte se do të kthente Amerikën në një superfuqi duke përdorur politika të ashpra proteksioniste, ndërsa Musk ka premtuar gjëra që janë përtej arritjeve të mundshme teknologjike në afate të shkurtra, si kolonizimi i Marsit apo zhvillimi i automjeteve plotësisht autonome dhe lëshimi i tyre në trafikun urban, duke paraqitur më tepër inovacionet e veta në formë të “veglave” të mençura për zbavitje të publikut të gjerë, se sa të teknologjive që më të vërtet do të përmirësojnë ose avancojnë jetën e njerëzve.
Pikërisht këto karakteristika të përbashkëta e bëjnë të vështirë të mos bëhet një krahasim mes tyre dhe lëvizjeve historike si Fashizmi dhe Futurizmi Italian. Në fillimet e saj, lëvizja futuriste promovoi përshpejtimin teknologjik dhe luftën si një mjet për të shkatërruar institucionet e vjetra dhe “dezinfektuar tokën nga popullsia e tepërt”, një ngjashmëri e qartë me filozofinë e "sundimit të shpejtësisë" të Elon Musk. Si Musolini që kërkonte të formonte një Itali të re, të pajisur me teknologji moderne dhe ideologji të fuqishme, edhe Musk ndjek një vizion për një botë të udhëhequr nga inteligjenca artificiale dhe kolonizimi hapësinor. Trump, nga ana tjetër, përdor retorikën “nacionaliste” për të ndërtuar një Amerikë (të bardhë) të fuqishme që nuk ndikohet nga rregullat ndërkombëtare apo marrëveshjet multilaterale, njëkohësisht përdor retorikën poshtëruese ndaj femrave, të përshtatur me atë të fashistëve.
Një tjetër element që ndan ngjashmëri mes këtyre figurave dhe lëvizjeve historike është përdorimi i simboleve mitologjike antike të transformuar në mitin e "super-heroit amerikan". Si Trump ashtu edhe Musk përdorin figurën e vetes si shpëtimtarë të një kombi apo madje të një race njerëzore që po përballet me sfida të papara më parë. Për Trump, ky mit nënkupton një rikthim në vlerat tradicionale amerikane dhe një forcim të kufijve kombëtarë. Ndërsa për Musk, vizioni i tij shkon përtej kufijve të tokës, drejt hapësirës - një “Iron Man” i cili njerëzimin mund të shpëtojë nga kërcënimet globale përmes përparimeve teknologjike.
Megjithatë, ky lloj qasjeje ka rreziqe të mëdha. Duke ndjekur hapat e një qeverisje autoritare dhe korporatizmit, siç e pamë në fillimet e fashizmit italian, ekziston një rrezik real që SHBA-ja të drejtohet drejt një modeli të "fashizmit teknokratik". Një lëvizje ku teknologjia, kapitali dhe pushteti politik ndërthuren për të kontrolluar shoqërinë në mënyrë më të centralizuar dhe për të anashkaluar demokracinë tradicionale. Me liderë si Trump dhe Musk në krye, mund të imagjinojmë një Amerikë ku zgjedhjet dhe politikat e brendshme janë të diktuara nga ambiciet personale të disa figurave të fuqishme, duke margjinalizuar votuesit e zakonshëm dhe duke krijuar një shtet të kontrolluar nga teknologjia dhe kapitali privat.
Ky stil i ngjashëm autoritar i liderit që kontrollon narrativen është një sinjal alarmi për ata që i frikësohen një "privatizimi" të SHBA-së, siç e tregon themelimi më i fundit i kompanive nga Elon Musk, të emëruara përshtatshëm "Shtete e Bashkuara të Amerikës Inc." dhe "Grupi Amerika LLC". Kjo ngjan me idenë që vendi mund të drejtohet si një korporatë, duke larguar çdo kontroll demokratik në favor të interesave të një individi ose të një grupi të ngushtë miliarderësh dhe korporatash - “oligarkia korporative”. Nëse këta liderë vazhdojnë të marrin fuqi të pakufishme, SHBA mund të transformohet përfundimisht nga një republikë “demokratike” në një sipërmarrje private, ku populli nuk do të ketë më asnjë fjalë në vendimmarrjet e mëdha që ndikojnë të ardhmen e këtij shteti dhe të tyre, njëkohësisht duke rrezikuar edhe shumë shtete në mbarë botën “demokratike”.
Një "fashizëm teknokratik" nuk është thjesht një vizion distopik i së ardhmes, por një mundësi e afërt nëse figura të tilla si Trump dhe Musk vazhdojnë të dominojnë politikën dhe ekonominë amerikane. Kombinimi i populizmit me pushtetin teknologjik dhe kapitalin e përqendruar mund të krijojë një sistem ku të drejtat e individëve dhe liritë demokratike zbehen përballë ambicieve të elitave teknologjike dhe udhëheqësve autoritarë.
Paralelizmat mes këtyre dy figurave dhe fillimeve të fashizmit të Musolinit nuk duhet të nënvlerësohen. Edhe pse kushtet historike dhe sociale duken të ndryshme, nuk duhet të harrojmë që Fashizmi në Itali u përhap nën ndikimin e erës së pakënaqësive të mëdha të brendshme të popullatës dhe ish-ushtarakëve pas Luftës së Parë Botërore, dhe stili i tyre i drejtimit dhe manipulimi i opinionit publik janë shenja të qarta të një drejtimi autoritar që mund të dëmtojë parimet e decentralizimit dhe lirisë.
ShokuSpiro Podcast linja e këtij artikulli në gjuhë angleze.