Trump, Gaza dhe Riviera e iluzioneve: Një recetë për katastrofë

Trump, Gaza dhe Riviera e iluzioneve: Një recetë për katastrofë
Imazhi i krijuar nga IA

Ah, ja edhe një plan gjenial nga mendja më e ndritur e shekullit – Donald Trump! Tani, le të përfytyrojmë këtë skenar madhështor që do ta shpëtojë Lindjen e Mesme me stilin e një "reality show" i shkallës epike.

Së pari, 1.8 milion palestinezë – të cilët me siguri mezi presin të shpërngulen nga shtëpitë e tyre – do të "ftohen" në një ekskursion njëkahësh drejt Egjiptit dhe Jordanisë. Gjysma në njërin shtet, gjysma në tjetrin. Dhe, çfarë lumturie! Në vend të atyre shtëpive të shkatërruara në Gaza, ata do të përfundojnë në qytete të reja të ndërtuara enkas për ta – ose më saktë, në kampe gjigante, se pse t’i lodhim me luks të tepërt? Natyrisht, financimi për këto projekte do të vijë nga SHBA, nga disa vende arabe që mezi presin të derdhin para për këtë kauzë, dhe ndoshta nga BE, sepse Brukseli është gjithmonë gati për të bërë bamirësi... me para të taksapaguesve.

Ndërkohë, Gaza e vjetër, ajo me rrënojat dhe tragjedinë njerëzore, do të marrë një "facelift" total. Jo nga USAID – sepse ajo është një relike e së shkuarës, e hedhur në plehra nga Trump dhe Musk për shkak të "shpenzimeve të kota". Kush ka nevojë për ndihmë humanitare kur kemi një ëndërr të madhe për një Rivierë?

E kështu, me ndihmën e kontraktorëve të kualifikuar (lexo: bizneset e miqve të Trump-it), Gaza do të transformohet në një parajsë bregdetare të stilit Monaco ose Miami Beach, me disa ndërtesa të emëruara "Trump Tower" – vetëm pa ato shqetësimet e vogla të popullsisë vendase. Kush e di, ndoshta disa prej tyre mund të punësohen në ndërtim – për rrogë minimale, sigurisht – që të kenë edhe ata një dorë në realizimin e këtij projekti historik.

Por prisni, nuk mbaron me kaq! Palestinezët e dëbuar në Egjipt dhe Jordan do të gjejnë vetë një "hobi" të ri: rekrutimin në ushtritë e vendeve mikpritëse. Dhe ndërsa vitet kalojnë, me pak ndihmë nga historia e zakonshme e urrejtjes dhe hakmarrjes, do të kemi një gjeneratë të re të luftëtarëve të zjarrtë, të cilët nuk do ta shohin Rivierën e Gazës si një destinacion pushimesh, por si një tokë të grabitur që duhet rimarrë.

Dhe atëherë, skenari bëhet edhe më interesant. Një nga dy gjërat do të ndodhë:

1. Operacioni "Barbecue Riviera" – Sulme raketore nga të gjitha anët mbi këtë parajsë bregdetare. Gjithë ato miliarda dollarë të hedhura për hotelet luksoze, kazinotë dhe resortet me pishina shndërrohen në hi brenda natës. Historia përsëritet, dhe Gaza kthehet në atë që ishte dikur – një gërmadhë epike, por këtë herë me një ironi edhe më të thellë.

2. Operacioni "Transfer of Property" – Ushtria palestineze, tani e mirëtrajnuar dhe e pajisur deri në dhëmbë, lëshohet nga kufijtë e Egjiptit dhe Jordanisë, ndërsa Siria dhe Libani ndihmojnë me përshëndetje raketash mbi Tel Aviv. Pas një lufte të furishme, ata rimarrin Rivierën e Gazës, ndërsa shteti izraelit gjendet në prag të kolapsit.

Dhe kështu, pas dekadash planifikimi strategjik brilant, e vetmja gjë që do të mbetet nga ëndrra e Trump-it për një "Rivierë të Lindjes së Mesme" do të jetë një ironi monumentale në librat e historisë. Bravo, mjeshtër i negociatave! Me këtë plan, jo vetëm që nuk e zgjidh konfliktin, por arrin ta bësh edhe më eksploziv. Çfarë talenti!